Një tryezë e rëndësishme diskutimi për të ardhmen e Bashkisë Has do të mbahet më 21 shkurt, në orën 12:00, në ambientet e Pallatit të Sportit të shkollës Krumë, në Has. Nismëtarë të kësaj iniciative janë Diaspora Hasjane dhe Shoqata Kulturore Atdhetare Hasi, të cilët kanë bashkuar forcat për të ngritur zërin kundër ndarjes së re territoriale që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie.
Në këtë takim do të jenë të pranishëm historianë, intelektualë dhe studiues të cilët do të sjellin fakte dhe argumente historike mbi ekzistencën dhe vijimësinë e Hasit si njësi administrative e pandarë. Qëllimi është grumbullimi i të dhënave shkencore dhe dokumentacionit të nevojshëm për t’i paraqitur institucioneve vendimmarrëse, në mbrojtje të integritetit territorial të bashkisë.
Organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, përfaqësues të shoqërisë civile dhe këdo që ndjen dashuri për Hasin, t’i bashkohet kësaj tryeze të hapur diskutimi. Kjo nismë vjen si zë i përbashkët i hasjanëve brenda dhe jashtë vendit, të vendosur të mos lejojnë zhbërjen e vendlindjes së tyre në hartën e re administrative.
“Ne nuk jemi kundër reformave, por jemi kundër padrejtësisë. Hasi ka histori, ka identitet dhe ka dinjitet. Nuk do të lejojmë që të shuhet bashkia”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.
Takimi premton të jetë jo vetëm një forum diskutimi, por edhe një pikënisje për veprime të mëtejshme institucionale e ligjore, në mbrojtje të Bashkisë Has. Kutjojmë që ky është hapi i dytë nga Hasjanët për të mbrojtur bashkinë, pas tubimit të mbajtur në Londër të dielën e 8 Shkurtit.
