“Bashkia Has nuk është statistikë, është komunitet i gjallë”
Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Kukësit, Isuf Çela, ka mbajtur një fjalim në parlament, duke I bërë jehonë e shqetësimit të thellë të Diasporës Hasjane lidhur me ndarjen e re territoriale, e cila parashikon zhdukjen e Bashkisë Has nga harta administrative e vendit.
Në një atmosferë të tensionuar politike, ku debati për reformën territoriale po merr përmasa të gjera, deputeti Çela ka zgjedhur të jetë zëri i shqetësimit të mijëra hasjanëve të shpërndarë nëpër botë. Ai theksoi se vëmendja e diasporës nuk është rastësore, por një tregues i lidhjes së fortë me rrënjët. Sipas tij, “sot të gjithë Hasianët të shpërndarë nëpër botë, nga qytetet e Evropës deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e ndjekin me shqetësim të thellë këtë zhvillim dhe nuk po heshtin”.
Çela vuri në dukje se reagimi i hasjanëve nuk është thjesht emocional, por ka marrë trajtat e një angazhimi serioz dhe profesional. Ai përshëndeti qëndrimin dinjitor të Diasporës Hasjane, e cila, e organizuar që nga Londra, ka nisur hapa konkretë për të mbrojtur ekzistencën e Hasit. “Ky nuk është një reagim emocional, është një angazhim serioz, institucional dhe profesional. Unë përshëndes qëndrimin dinjitor të diasporës dhe çdo hasiani kudo që ndodhet”, u shpreh ai.
Duke i dhënë një peshë të veçantë argumentit, deputeti theksoi se “ekzistenca e bashkisë së Hasit nuk është çështje teknike, është çështje e identitetit kolektiv, është çështje e trashëgimisë historike, është çështje e së drejtës së banorëve për të vendosur për të ardhmen e tyre”. Ai kritikoi mënyrën se si po ndërmerret kjo reformë, duke theksuar se ajo nuk mund të bëhet kundër vullnetit të komunitetit, pa transparencë dhe pa një analizë të plotë ekonomike, sociale dhe demografike.
Në mbrojtje të tezës së tij, Çala solli shembuj nga vendet e Bashkimit Evropian, ku sipas tij, “ka plot zona shumë më të vogla edhe për nga territori, por edhe nga numri i banorëve, ku kanë njësi të organizuara si komuna, pasi ata kanë në qendër të vëmendjes shërbimin ndaj qytetarëve”.
Për të mbështetur qëndrimin se Hasi meriton të ruhet, deputati vlerësoi performancën e bashkisë në vitet e fundit. “Po të analizojmë performancën e bashkisë HAS në këto pesë-gjashtë vitet e fundit, me gjithë problematikat që ka si zonë e largët, përformimi i saj ka qenë relativisht i kënaqshëm dhe efektiv për sa i takon shërbimeve ndaj qytetarëve të saj”, deklaroi ai.
Duke iu drejtuar kolegëve dhe opinionit publik, ai bëri thirrje për unitet dhe përgjegjësi. “Vëllezër e motra hasjanë, sot kërkohet uniteti, kërkohet angazhim, kërkohet përgjegjësi. Hasjanët kudo që janë po tregojnë se largësia gjeografike nuk e shuan dhe nuk e zbeh lidhjen me vendlindjen, përkundrazi e forcon atë dhe kjo është lidhje e patjetërsueshme”, u shpreh ai, duke sqaruar se opozita e tij nuk është kundër reformave, por kundër atyre vendimeve që “ dobësojnë zërin e komunitetit dhe që fshijnë nga harta një bashki me identitet të qartë historik”.
Menjëherë pas fjalimit në Kuvend, deputeti Isuf Çela ka ripërcjellë të njëjtin mesazh edhe në rrjetet e tij sociale, duke e shoqëruar atë me një përshkrim më të detajuar të punës që po bën diaspora. Në postimin e tij, ai shpreh mirënjohje për angazhimin serioz të hasjanëve.
“Nderim për diasporën hasjane nga Evropa deri në SHBA, e cila po reagon me seriozitet dhe përgjegjësi për mbrojtjen e ekzistencës së Bashkisë Has. Ky nuk është reagim emocional, por angazhim institucional, ligjor dhe profesional”, shkruan Çela.
Në postim, ai rendit hapat konkretë që ka ndërmarrë diaspora, duke evidentuar një lëvizje të mirëorganizuar:
- Po përgatitet një dosje e plotë historike e kulturore që dokumenton identitetin dhe veçantinë e Hasit.
- Po kërkohet ekspertizë kushtetuese dhe administrative për mbrojtjen juridike të bashkisë.
- Po zhvillohet lobim i organizuar me përfaqësues institucionalë.
- Do të ketë pjesëmarrje aktive në çdo dëgjesë publike për të mbrojtur me argumente të dokumentuara të ardhmen e Hasit.
Në një mesazh përmbyllës, deputeti shpreh përkushtimin e tij personal: “Unë kam qenë dhe do të jem në krah të çdo hasjani, sot dhe gjithmonë, jo për fasadë, por i bindur në mbrojtje të një të drejte legjitime të tyre.”
Reagimi i deputetit Çela dhe i Diasporës Hasjane vjen në një moment kur në vend po diskutohet gjerësisht ndarja e re administrative. Mediat kanë raportuar se një nga skenarët e diskutuar përfshin bashkimin e bashkive të vogla, ku Kukësi pritet të bashkohet me Hasin, si pasojë e shpopullimit dhe performancës së këtyre njësive .
Ndërkohë, Diaspora Hasjane, e themeluar në Londër, ka zhvilluar një lobim intensiv diplomatik, duke përfshirë takime me ambasadorin britanik në Tiranë, Nicholas Abbott, i cili është zotuar të ndërmjetësojë për këtë çështje pranë komisionit parlamentar . Në një thirrje të mëparshme, diaspora e cilësoi tentativën për shkrirjen e bashkisë si një “goditje të drejtpërdrejtë ndaj ekzistencës ekonomike, sociale dhe demografike të Hasit”, duke theksuar kontributin e zonës në historinë kombëtare, nga kryengritjet për pavarësi deri te kontributi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës .

