KETI LUARASI: PËRFSHIRJA E DIASPORËS E DOMOSDOSHME
Në kuadër të tryezës së nivelit të lartë me temën “Qeverisje Lokale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, organizuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Hasi” dhe Diaspora Hasjane, Keti Luarasi, Koordinatore Kombëtare e Projekteve pranë pranë Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), theksoi se reforma territoriale nuk duhet parë thjesht si një proces administrativ, por si një mundësi për të krijuar njësi vendore funksionale dhe më pranë qytetarit.
Ajo vuri në dukje se përfshirja e diasporës në këtë proces është e domosdoshme, duke e cilësuar atë si një aktor kyç për zhvillimin e vendit. Sipas saj, diaspora sjell një perspektivë unike dhe njeh më së miri potencialet e pashfrytëzuara të zonës, duke e parë territorin nga larg, por me zemër afër.
“Në kontekstin e reformës territoriale, është shumë e rëndësishme që proceset e rishikimit, planifikimit dhe organizimit të territorit të mos shihen vetëm si procese administrative, por si mundësi për të ndërtuar njësi vendore më funksionale, më përfaqësuese dhe më pranë qytetarit. Në këtë kuadër, përfshirja e diasporës nuk është thjesht e dëshirueshme — ajo është e nevojshme.Diaspora sjell një perspektivë unike. Ajo e sheh territorin nga larg, por me zemër afër. Ajo njeh potencialet e pashfrytëzuara të zonës së Hasit, sfidat e largimit, nevojën për më shumë mundësi për të rinjtë, dhe mbi të gjitha, rëndësinë që zhvillimi lokal të ndërtohet mbi identitetin, burimet dhe aspiratat e vetë komunitetit.”-tha Luarasi.
Luarasi theksoi se IOM mbështet vazhdimisht angazhimin e diasporës në proceset e zhvillimit lokal në Shqipëri, duke besuar fort se migracioni, kur menaxhohet mirë, mund të kthehet në një faktor të rëndësishëm zhvillimi.
“IOM ka mbështetur vazhdimisht angazhimin e diasporës në proceset e zhvillimit lokal në Shqipëri, duke besuar fort se migracioni, kur menaxhohet mirë, mund të kthehet në një faktor zhvillimi. Përfshirja e diasporës në diskutime si ky i sotmi ndihmon që politikat vendore të jenë më gjithëpërfshirëse, më të informuara dhe më të qëndrueshme.Për Hasin, kjo do të thotë të krijohen më shumë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve vendore dhe komuniteteve jashtë vendit; të dëgjohet zëri i diasporës jo vetëm në momente simbolike, por si pjesë e një dialogu të vazhdueshëm; dhe të ndërtohen mekanizma konkrete ku diaspora mund të japë kontribut në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të zonës.Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për një qasje që e sheh diasporën jo si një histori largimi, por si një partner strategjik për zhvillimin vendor. Dhe pikërisht aktivitete si ky krijojnë hapësirën e nevojshme për reflektim, bashkëbisedim dhe vizion të përbashkët.”- vijoi më tej Luarasi.
Koordinatorja Kombëtare e Projekteve pranë IOM-së, znj. Keti Luarasi ritheksoi gatishmërinë e IOM për të mbështetur proceset që forcojnë lidhjen ndërmjet migracionit, diasporës dhe zhvillimit lokal, duke e parë diasporën jo si një histori largimi, por si një partner strategjik për të ardhmen e komuniteteve.
