Vlerësimi u dha nga IOM dhe Qeveria Britanike për iniciativat në mbështetje të migrantëve dhe diasporës
Bashkia Has është vlerësuar me vendin e tretë në kuadër të konkursit “Nismat me ndikim pozitiv në komunitet”, për iniciativat e saj në mbështetje të migrantëve, angazhimit të diasporës dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik e social në nivel vendor.

Ky vlerësim erdhi në një aktivitet të organizuar me mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe në bashkëpunim me International Organization for Migration (IOM), ku morën pjesë të 61 bashkitë e vendit për të prezantuar praktikat dhe modelet më të mira në fuqizimin e komuniteteve lokale.
Bashkia Has u vlerësua për qasjen e saj konkrete në krijimin e mekanizmave që mbështesin riintegrimin, përfshirjen sociale dhe aktivizimin e diasporës si një faktor kyç në zhvillimin e zonës. Përmes projekteve dhe politikave të ndërmarra, institucioni vendor ka synuar të ndërtojë ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes emigrantëve, diasporës dhe komunitetit lokal.

Ky sukses konsiderohet një tjetër dëshmi e përkushtimit të Bashkisë Has për të sjellë zgjidhje inovative dhe praktike në funksion të qytetarëve, duke fuqizuar rolin e diasporës jo vetëm si mbështetje ekonomike, por edhe si partner strategjik për zhvillimin afatgjatë të zonës.
Ky vlerësim shërben gjithashtu si motivim për të vijuar punën në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe krijimit të politikave gjithëpërfshirëse për komunitetin.

NJË MODEL BASHKËPUNIMI ME DIASPORËN
Ky rezultat vjen pas një sërë iniciativash të ndërmarra nga Bashkia Has gjatë viteve të fundit në fushën e migracionit dhe diasporës.
Në nëntor të vitit 2025, Bashkia Has, në bashkëpunim me International Organization for Migration (IOM), organizoi aktivitetin dy-ditor me temën “Përfshirja e Diasporës në Eventet Lokale”, në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve Institucionale Vendore për migracionin në Shqipëri”, financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Aktiviteti u fokusua në krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit mes institucioneve vendore, diasporës dhe sektorit privat, duke e kthyer Bashkinë Has në një nga modelet më aktive në vend për angazhimin e diasporës në zhvillimin lokal.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Diasporës Hasjane, institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, sektorit privat dhe partnerëve lokalë, ndërsa u prezantuan histori konkrete suksesi, iniciativa investimi dhe Plani Vendor i Veprimit për Migracionin dhe Diasporën.

Kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, gjatë fjalës së tij theksoi rëndësinë e diasporës për zhvillimin e zonës, duke e konsideruar atë një potencial të pazëvendësueshëm për të ardhmen ekonomike dhe sociale të Hasit.
Përfaqësuesit e Diasporës Hasjane në këtë aktivitet theksuan se Hasi ka potencial të madh zhvillimi dhe u shprehën të gatshëm të kontribuojnë me investime, eksperiencë dhe projekte konkrete për vendlindjen, duke kërkuar një bashkëpunim më të fortë dhe më të strukturuar me institucionet lokale në të ardhmen.
Takimi u vlerësua nga pjesëmarrësit si një model bashkëpunimi që duhet të shtrihet edhe në bashki të tjera të vendit, ndërsa përfaqësuesit e diasporës shprehën gatishmërinë për të kontribuar në projekte konkrete zhvillimi në vendlindje.
