Fusha e futbollit “Pashtriku”, Këndi i lojërave dhe Parku i Hasit, Muzeu etno-historik i Krumës – tre projekte strategjike.
Në kuadër të finalizimit të vitit të parë të themelimit të “Diasporës Hasjane”, që nga 29 maji 2025, komuniteti hasjan në Londër u mblodh në një mbrëmje të veçantë te restoranti Illyrian Grill House. Në këtë atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, u lajmëruan edhe projektet e rëndësishme që do të jenë në të mirë të komunitetit hasjan, duke prekur fusha mjaft të rëndësishme të zhvillimit lokal dhe kulturor.
Për sa i përket strukturës financiare dhe koordinimit, në rolin e njërit prej drejtuesve për menaxhimin financiar, zoti Alfred Ferizolli prezantoi detajet e projekteve para të pranishmëve, duke konfirmuar se janë tre projekte madhore që diaspora shpreson t’i realizojë plotësisht.

Tre projektet ambicioze për Hasin janë: fusha e futbollit në Pashtrik, e cila përbën një hapësirë moderne për sport dhe bashkim të të rinjve; këndi i lojërave në Has, një ambient i sigurt dhe argëtues për fëmijët e zonës; dhe muzeu etno-historik i Krumës, i cili synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë e pasur kulturore të trevës hasjane.

Lidhur me koordinimin dhe lobimin për donacione, koordinatori Uran Derri theksoi se po lobojnë edhe për donacione të jashtme, duke përfshirë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Sipas tij, shpresohet që fillimi i projekteve të jetë brenda këtij viti.


Sa i përket parkut të Krumës, ky park pritet të marrë financim shumë shpejt, në bashkëpunim me aktorë të tjerë lokalë dhe ndërkombëtarë, duke u bërë kështu një tjetër pikë e rëndësishme për komunitetin.

Për fushën e futbollit, pesëdhjetë për qind e financimit është siguruar tashmë nga Federata Shqiptare e Futbollit, ndërsa pritet edhe përfshirja e bashkisë dhe e donatorëve të tjerë që të realizohet plotësisht ky investim.

Këto u konsideruan si projekte madhore për Hasin, të cilat do të vijnë në kuadër të nismave të vazhdueshme të “Diasporës Hasjane”. Në vitin e parë të ekzistencës, diaspora hasjane ka kontribuar në aktivitete sportive, nisma konkrete për Hasin, ndihmë për personat në nevojë, aktivitete për të rinjtë dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Tani, me këto tre projekte strategjike, ajo e ngrit edhe më lart zërin për zhvillimin dhe bashkimin e kombit hasjan, kudo që ai ndodhet. Detajet e projekteve do të përditësohen në vijim hap pas hapi nga drejtuesit e Diasporës Hasjane, të cilët janë të angazhuar të kontribuojnë për vendlindjen në mënyrë që çdo qindarkë e mbledhur të shkojë në të mirë të komunitetit dhe të ardhmes së brezit të ri.


