Mbarë komuniteti kundërshton çdo ndryshim territorial. Zëri më i ashpër dhe më i qartë kundër ndryshimeve erdhi nga Hasi !
Komisioni i Reformës Territoriale zhvilloi të martën, më 26 maj, dëgjesën publike në Kukës, ku përfaqësues të qeverisë dhe opozitës parashtruan qasjet e tyre për një reformë të re, ndërsa qytetarët e pranishëm kundërshtuan fuqishëm çdo ndryshim që cenon bashkitë ekzistuese.
Çfarë tha politika…
Z. Arbajn Mazniku (PS), bashkëkryetar i komisionit, parashtroi disa argumenta duke u mbështetur në të dhënat financiare: në Kukës mblidhen 3.241 lekë për frymë në vit nga taksat vendore (pesë herë më pak se mesatarja), në Has vetëm 1.271 lekë (15 herë më pak), ndërsa në Tropojë 2.683 lekë. Ai vuri në dukje se edhe grantet e qeverisë nuk mjaftojnë.
Argumenti kryesor i tij ishte se bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete njerëzore për të ofruar shërbime. Duke marrë shembull propozimin e një qytetari për krijimin e një bashkie rurale në Bushtricë (548 banorë), Grykë-Çajë (93 banorë) dhe Kalis (252 banorë), ai pyeti: “A gjen dot arkitekt, inxhinier, jurist, punonjës social?” Sipas tij, “parimi i subsidiaritetit” zbatohet aty ku shërbimi mund të ofrohet realisht.
Mazniku parashtroi se autonomia vendore lidhet me të ardhurat e veta – kur paratë vijnë nga granti, fuqia e zërit është më e vogël. Ai propozoi rritjen e të dy kolonave: grantit dhe të ardhurave vendore. Megjithatë, për Hasin dha një garanci simbolike: “Hasi ka qenë këtu për 1000 vjet dhe do të jetë këtu edhe për 1000 vjet të tjera, pavarësisht se ku i vendosim zjarrfikëset.”
Z. Luçano Boçi (PD), bashkëkryetar, pati një qasje tjetër. Ai e cilësoi reformën e vitit 2014 si të dështuar, që nisi si modernizim dhe përfundoi në “centralizim agresiv, brutal”. Sipas tij, testi më i mirë i dështimit është Qarku i Kukësit, i cili ka humbur 30% të popullsisë nga viti 2001 në 2023.
Argumenti i Boçit ishte se shpopullimi lidhet drejtpërdrejt me mungesën e shërbimeve dhe largësinë e shtetit. PD-ja, sipas tij, nuk niset nga harta, por nga qytetari: “Sa larg është qytetari nga shkolla, nga mjeku, nga shërbimet? Nëse nuk është afër, ne duhet ta afrojmë.” Ai kundërshtoi variantet e PS-së për bashkitë e mëdha që thithin të voglat, uljen e numrit të bashkive ose formatimin e 36 rretheve. PD propozon ndryshimin e formulës së financimit, duke shtuar kriteret e relievit, shpërndarjes sporadike të popullsisë, largësisë dhe varfërisë, si dhe fonde të veçanta për zonat malore (modeli zviceran).
KOMUNITETI KUNDËRSHTOI ÇDO NDRYSHIM
Në të kundërt me argumentet e politikës, qytetarët e pranishëm – shumica prej tyre nga Hasi – kundërshtuan çdo lloj ndryshimi që mund të shkrinte ose ndryshonte bashkitë ekzistuese.
Përfaqësuesit e Hasit ishin më të zëshmit. Një pjesëmarrës nga shoqëria civile e Krumës e cilësoi të papranueshme çdo ide për ndarje të re territoriale: “T’i thuash një qytetari në Has se po shihet mundësia e një ndarjeje të re, kjo është e papranueshme, do të thotë t’i rikthesh në riminishencë vuajtjet e komunizmit.” Bashkia e Hasit, sipas tij, është “optimale për shkak të homogjenitetit dhe identitetit gjeografik dhe krahinor”.
Uran Derri, koordinator i “Diasporës Hasjane”, ishte i prerë: “Nëse bëhet fjalë për ekzistencën tonë, nuk mund ta quajmë as dëgjesë.” Ai kërkoi fuqizimin institucional të bashkisë së Hasit, jo shkrirjen e saj.
Kujtim Morina nga Shoqata Kulturore “Hasi” lidhi territorin me identitetin: “Krahina e Hasit ka identitet të qartë. Edhe pse kemi qenë 45 vjet në një rreth me Kukësin, identiteti nuk ka ndryshuar. Po humbi emri, humbin të gjitha.”
Adem Lala, ish-drejtues i pushtetit lokal, iu drejtua drejtpërdrejt bashkëkryetarëve: “A mund të përgjigjeni ju për bashkinë e Hasit, që këta bashkatdhetarë të shkojnë të qetë?” Ai kërkoi një garanci se “bashkia nuk do të shkrihet”.
Edhe qytetarë nga Kukësi kundërshtuan ndryshimet. Fasli Gërmizi një figurë publike, arsimtar dhe politikan i njohur në qytetin e Kukësit, propozoi krijimin e bashkive rurale në Bushtricë dhe në Grykë të Vanit, por jo shkrirjen e ekzistueseve. Aktivisti Arben Trota akuzoi se reforma e parë i ka dëmtuar fshatrat, ku shkollat po kthehen në stalla lopësh.
Gazmend Hallaçi, anëtar i Këshillit Bashkiak Kukës, tha hapur: “Kthimi i komunave për mua nuk ja vlen më.” Ai ishte kundër ndarjeve të reja që sjellin pasiguri për investimet.
Halit Muçmata solli një krahasim: në Bashkimin Europian mesatarja është 5.200 banorë për njësi vendore, ndërsa në Shqipëri 39.000 – “Ky indikator tregon se duhet të shkojmë drejt shtimit të njësive, jo zvogëlimit.”
Dëgjesa në Kukës tregoi një hendek të qartë: ndërsa politika (PS dhe PD) diskuton argumente të ndryshme – nga optimizimi i kapaciteteve te ndryshimi i formulës së financimit – komuniteti i qarkut të Kukësit, veçanërisht i Hasit, kundërshtoi çdo ndryshim që cenon ekzistencën e bashkive të tyre. Kërkesa e tyre ishte e njëzëshme: fuqizimi, jo shkrirja; më shumë kompetenca, jo centralizim; dhe respektimi i identiteteve krahinore.
