Uran Derri: “Nëse preket ekzistenca, nuk mund ta quajmë as dëgjesë”
Dëgjesa publike e Komisionit të Reformës Territoriale në Kukës mblodhi jo vetëm banorë vendas, por edhe përfaqësues të shumtë të “Diasporës Hasjane”, të cilët po ndjekin me shqetësim dhe interes hap pas hapi çdo lëvizje që vjen nga Tirana për ndryshimin e hartës së pushtetit vendor. Në sallë, pranë bashkëkryetarëve të komisionit, z. Arbajn Mazniku (PS) dhe z. Luçano Boçi (PD), u dëgjua qartë zëri i bashkatdhetarëve nga Hasi – brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Uran Derri, koordinator i “Diasporës Hasjane”: Qëndrim i prerë përpara komisionit!
Një nga ndërhyrjet më të forta ishte ajo e Uran Derrit, Koordinator i “Diasporës Hasiane”, i cili foli në emër të një komuniteti të tërë që ndodhet larg Atdheut, por nuk pushon së ndjekuri fatin e trevës së tij.
“Diaspora Hasjane” është shumë e lidhur me Hasin dhe sistematikisht vazhdon investimet dhe bashkëveprimin me bashkinë e Hasit. Ne e kuptojmë që rritja e kompetencave kërkon persona të kualifikuar, por është më mirë t’i mundësojmë bashkisë t’i ketë këto sesa t’i heqim kompetencat. Nëse bëhet fjalë për ekzistencën tonë, nuk mund ta quajmë as dëgjesë.”
Z.Derri theksoi se diaspora hasiane nuk kërkon shkrirje apo ndarje të reja territoriale, por fuqizimin institucional të bashkisë së Hasit. Ai vuri në dukje se homogjeniteti i Hasit e bën atë të ndryshëm nga Tropoja apo Kukësi dhe se çdo vendim që cenon këtë entitet do të ishte i papranueshëm.
Përfaqësues të shumtë të diasporës – në sallë
Gjatë gjithë dëgjesës, në publik u vu re prania e figurave të njohura të “Diasporës Hasiane”, të cilët ndoqën me kujdes diskutimet. Një pjesë e mirë e tyre erdhën në atëdhe enkas për të dëgjuar vetë nga zyrtarët se çfarë parashikon reforma e re territoriale. Shqetësimi i tyre ishte i njëjtë: ruajtja e identitetit krahinor dhe mosprekja e kufijve të bashkisë së Hasit.
Shkurte Mula ndoqi dëgjesën në sallë – reagimi poetik pas përfundimit…
Një nga zërat më të dashur që përfaqëson dhe lartëson vlerat e trevës së Hasit, Shkurte Mula, ishte e pranishme në sallë gjatë gjithë dëgjesës. Ajo ndoqi me kujdes diskutimet dhe argumentet e palëve dhe mbajti edhe qëndrimin e saj kundër shkrirjes së bashkisë Has. Pas përfundimit të takimit, ajo reagoi me disa vargje që përmblodhën atmosferën, dinjitetin dhe qëndrimin e hasianëve – pa trazira e pa zë të lartë, vetëm me fjalë të urta e “gojë të artë”.
Vargjet e Shkurte Mulës:
“Sot në një dëgjesë, n’publik
Hasi ishte shumë unik.
(Krejt, pa ndikim politik)
Pa trazira e zâ t’lartë
veç fjalë t’urta e ‘gojë t’artë!’
Ju ka hije fjala e qëndrimi
diplomatë te diskutimi,
janë k’ta, Kujtimi e Bashkimi.
Ekselentë Urani e Iliri
s’mun i ndan kush âsht mâ i miri.
Sjellin fakte me saktësi;
k’shtu i ka Hasi djemtë e tij.
Gjithë potencë doktor Nexhati
shpalosë vlerat që ka Hasi,
tuj i vu pikat mbi ‘i’
‘Hasi âsht nji e s’bâhet dy!’
Ardhur nga ‘përtej kufini’
Bashkë me të, doktor Besimi.
E në fund, kur iu dha fjala
në ‘kapuça’ i mujti Lala
Hidh e prit si në futboll,
në krejt gju’jtjet e bânë ‘gol!’
Bakllav’s i duhet sherbeti,
k’ta janë çunat nga kurbeti
(Asnjiherë s’menduen për veti)
E bânë Hasin si Anglia,
ia u pa hajrin, krejt Shqipnia!”
Dëgjesa publike në Kukës mbetet një moment historik për qarkun dhe veçanërisht për Hasin. “Diaspora Hasjane“ dha një mesazh të qartë: asnjë ndryshim territorial që cenon ekzistencën e bashkisë së Hasit nuk është i pranueshëm. Ndërsa politika diskuton modele dhe formula financimi, qytetarët dhe emigrantët kërkojnë vetëm një gjë: të mos preken identiteti dhe përfaqësimi i tyre. Dhe siç i ka hije Hasit, kjo u tha me dinjitet, me fakte dhe – në fund – me poezi.
