Komisioni i Reformës Territoriale zhvilloi të martën dëgjesën publike me qytetarë në Kukës, ku një nga zërat që bëri përshtypje ishte ai i Ilir Brashës, banues nga fshati Helshan i bashkisë së Hasit. Brasha, analist i politikave publike ekonomike dhe kandidat për doktor shkencave pranë Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës, ngriti zërin për të drejtat dhe nevojat e bashkisë së tij, duke ofruar një analizë të detajuar mbi situatën e qeverisjes vendore në Shqipëri.
Analisti ekonomik evidentoi dy probleme themelore:
Numri i vogël i popullsisë – Sipas Brashës, ky nuk duhet të jetë kriter për likuidimin e një bashkie. Ai krahasoi të dhënat: në Bashkimin Europian mesatarisht ka 5.200 banorë për njësi qeverisjeje vendore, ndërsa në Shqipëri shifra arrin 39.000 banorë. “Ky indikator tregon që duhet të shkojmë drejt decentralizimit, pra shtimit të njësive të qeverisjes vendore,” deklaroi ai.
Të ardhurat e veta – Në bashkinë e Hasit, të ardhurat e veta zënë vetëm 5% të totalit të buxhetit bashkiak. “Kjo nuk do të thotë që bashkia e Hasit nuk duhet të qëndrojë më vete ose t’i cënohet integriteti territorial. Përkundrazi, tregon se duhet të fuqizohet në kompetenca dhe të rriten transfertat,” u shpreh Brasha.
Financimi i qeverisjes vendore
Një ndër pikat më të forta të fjalës së tij ishte krahasimi ndërkombëtar i transfertave shtetërore. Në Shqipëri, vetëm 1.46% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) shkon për transferta në buxhetin e qeverive vendore, ndërsa në vendet evropiane kjo shifër është mbi 10%.
“Bashkitë nuk kanë para nga buxheti i shtetit për të shpenzuar dhe investuar. Nëse nuk investojnë, nuk mund të mbledhin të ardhura të mjaftueshme për të pasur pavarësi ekonomike apo territoriale,” theksoi ai.
Duke iu referuar Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, Brasha kujtoi parimin e subsidiaritetit: “Bashkia, njësia e qeverisjes vendore, duhet të jetë sa më afër qytetarit dhe jo larg tij. Pavarësia financiare fitohet me anë të rritjes së kompetencave.”
Ai përfundoi me një mesazh të qartë: “Jo Tirana të kujdeset për Hasin, por bashkia e Hasit të kujdeset për Hasin. Kryetari i bashkisë i njeh problematikat dhe është më i afërt me qytetarët e atij territori.”
Zëri i Ilir Brashës u dallua në dëgjesën publike për qasjen analitike dhe argumentimin e tij të mbështetur në krahasime ndërkombëtare, duke bërë thirrje për një reformë territoriale që forcon, dhe jo dobëson, bashkitë ekzistuese.
