“Diaspora Hasjane” ka marrë iniciativën për organizimin e një aksioni të gjerë pastrimi në të gjithë territorin e bashkisë Has dhe përgjatë rrugëve nacionale, duke vendosur mjedisin në qendër të vëmendjes së komunitetit.
Nën moton “Krenari ta mbash të pastër vendin tënd!”, kjo nismë e drejtuar nga hasjanët që jetojnë jashtë kufijve dhe brenda saj, synon përmirësimin e mjedisit dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbajtjen pastër të hapësirave publike dhe depozitimin e mbetjeve në vendet e përcaktuara.
ANGAZHIMI I DIASPORËS, SHEMBULL PËR TË GJITHË
Nënkryetari i Diasporës Hasjane, Max (Misin) Dajci, duke folur gjatë aksionit, theksoi rëndësinë e këtij organizimi masiv: “Për gjithë popullin e Hasit, ky është organizimi më masiv për territorin. Gjithë bashkë kemi kontribuar. Na janë bashkuar Bashkia Has, Drejtoria Arsimore, gjithë populli hasjan.”
Dajci apeloi edhe për angazhim më të gjerë kombëtar: “Shqipëria ka nevojë për ne në çdo cep të Shqipërisë. Ju lutem të gjithë të kontribuojmë për vendin tonë!”

BASHKËPUNIM I SUKSESSHËM ME INSTITUCIONET LOKALE
Aksioni u organizua në bashkëpunim me Bashkinë Has dhe me mbështetjen e Policisë së Hasit, duke treguar një model të suksesshëm bashkëpunimi midis diasporës dhe institucioneve vendore.
Autoritetet vendore vlerësuan lart bashkëpunimin me Diasporën Hasjane, duke e cilësuar këtë nismë si një shembull të mirë për sensibilizimin e komunitetit në mbrojtje të mjedisit.
PASTRIM I GJERË DHE MESAZHE PËR TË ARDHMEN
Gjatë aksionit, pjesëmarrësit pastruan rrugë, ambiente publike dhe hapësira të ndryshme, duke përcjellë mesazhin se kujdesi për mjedisin është përgjegjësi e të gjithëve. Përfaqësuesit e bashkisë shprehën ambicien që “Bashkia Has të jetë shembull për të gjithë Republikën e Shqipërisë”.
Kjo nismë e Diasporës Hasjane për mbrojtjen e mjedisit shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis emigrantëve dhe vendlindjes, duke dëshmuar se angazhimi i tyre shtrihet përtej kufijve gjeografikë dhe përfshin kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe mirëqenien e komunitetit vendor.
Gjatë aksionit u vendosën edhe tabela me thirrje sensibilizuese, që i bëjnë thirrje secilit të mbrojë mjedisin sot, që nesër të mos na kundërvihet me pasoja të papërmbajtshme, por të na kthejë frytin e kujdesit të sotëm.
