Nxënësja hasjane “bashkon” dy flamuj në një punim artizanal – simbol i miqësisë shqiptaro-britanike
Në një nga aktivitetet më prestigjioze diplomatike të organizuara në Shqipëri, “King’s Birthday Party”, e zhvilluar nga Ambasada Britanike në Tiranë në nder të ditëlindjes zyrtare të Mbretit Charles III, nuk mungoi as përfaqësimi i Diasporës Hasjane, e cila përcolli një mesazh të fortë miqësie, bashkëpunimi dhe lidhjeje të ngushtë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Eventi, i drejtuar nga Ambasadori Britanik Nicholas Abbott, mblodhi personalitete të larta të shtetit shqiptar, përfaqësues të trupit diplomatik, komuniteteve fetare, biznesit dhe shoqërisë civile, duke konfirmuar edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Abbott theksoi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe marrëdhënieve gjithëpërfshirëse mes dy vendeve duke u shprehur se: “Marrëdhënia MB-Shqipëri, megjithëse ende relativisht e re, është thelluar shpejt. Ajo tani përfshin politikën, sigurinë, mbrojtjen, kulturën dhe, e rëndësishmja, lidhjet mes njerwzve. Prioritetet tona janë të qarta. Ne mbështesim rrugën euroatlantike të Shqipërisë.”
Ai vuri në dukje se: “Shqipëria sot është në një moment mundësie, përparimi në reforma, rruga e saj evropiane dhe roli i saj në NATO tregojnë të gjitha një drejtim të qartë strategjik. MB qëndron pranë Shqipërisë në këtë udhëtim. Nuk mund të mos admirosh energjinë dhe besimin e Shqipërisë në një të ardhme demokratike evropiane.”
Në këtë mbrëmje të veçantë, Diaspora Hasjane u përfaqësua nga kryetari i saj, Shefqet Kraja, koordinatori Uran Derri dhe menaxheri financiar Ilir Nabolli. Tre përfaqësuesit hasjanë morën pjesë në aktivitet duke sjellë me vete jo vetëm zërin e komunitetit të madh hasjan që jeton dhe punon në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe një dhuratë me vlerë të veçantë simbolike për ambasadorin Abbott.
Bëhet fjalë për një punim artizanal unik, ku flamuri i Shqipërisë dhe ai i Mbretërisë së Bashkuar janë bashkuar në një kompozim të vetëm artistik, duke simbolizuar lidhjen e fortë mes dy popujve dhe kontributin e çmuar që diaspora shqiptare, e veçanërisht ajo hasjane, jep prej vitesh në shoqërinë britanike.
Punimi është realizuar me përkushtim dhe talent nga nxënësja Ledia Ben Duraku, e klasës XI-A të Gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë. Përmes këtij krijimi, ajo ka përcjellë një mesazh të qartë: kufijtë gjeografikë nuk e zbehin identitetin dhe lidhjen mes njerëzve, por përkundrazi e forcojnë atë kur ndërtohet mbi respektin, bashkëpunimin dhe vlerat e përbashkëta.
Nga fotografia e realizuar gjatë ceremonisë, shihet momenti kur përfaqësuesit e Diasporës Hasjane i dorëzojnë ambasadorit britanik këtë dhuratë simbolike, e cila u prit me vlerësim dhe interes. Ky gjest përfaqëson jo vetëm respektin ndaj mikpritësve, por edhe mirënjohjen për mundësitë që Mbretëria e Bashkuar u ka ofruar mijëra shqiptarëve, mes tyre edhe shumë familjeve hasjane, duke mishëruar pikërisht atë që Ambasadori Abbott theksoi në fjalën e tij: rëndësinë e “lidhjeve njerëz-me-njerëz” që forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.
Komuniteti hasjan në Mbretërinë e Bashkuar konsiderohet ndër komunitetet më aktive shqiptare jashtë vendit. Përmes punës, integrimit dhe ruajtjes së traditave, ai ka shërbyer si një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet dy vendeve. Pikërisht kjo lidhje u pasqyrua në mënyrën më të bukur përmes dhuratës së prezantuar në “King’s Birthday Party”.
Pjesëmarrja e Diasporës Hasjane në këtë ngjarje të nivelit të lartë diplomatik dëshmon se komuniteti vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke promovuar vlerat e bashkëpunimit, respektit dhe miqësisë afatgjatë mes dy kombeve. Në të njëjtën kohë, ajo shërben si një motiv krenarie për Hasin dhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë e kontribuojnë jashtë atdheut.

