Ilir Brasha nga Diaspora Hasjane: “Është simbol jo vetëm i Hasit, por i gjithë Shqipërisë”
Më 28 qershor, fshati Letaj i Hasit u bë epiqendra e një aktiviteti madhështor kushtuar historisë, traditës dhe identitetit kombëtar. Nën organizimin e familjes Kurpali, kulla e tyre, e cila mban mbi supe shekuj luftë, qëndresë dhe atdhedashuri, u hapi dyert për të gjithë ata që duan të ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë e pasur të zonës.
Në fokus të aktivitetit ishte prezantimi i vlerave historike të kullës, e cila u paraqit para të ftuarve si një simbol i rilindjes dhe kujtesës kombëtare. Avni Dervishi Kurpali mbajti fjalën e hapjes, ndërsa studiuesit Ali Hasani, Përparim Brati dhe Dylber Geca sollën kumtesa të vlefshme mbi historinë e Kurpalëve, etnografinë, traditat, zakonet dhe kulinarinë karakteristike të Hasit.
I pranishëm në këtë aktivitet koordinatori i “Diasporës Hasjane”, Ilir Brasha theksoi rëndësinë kombëtare të kësaj vepre, duke u shprehur:
“Vepra të tilla siç është kulla e Kurpalëve janë me rëndësi jo vetëm për Hasin, por për të gjithë Shqipërinë. Kjo kullë është një simbolikë jo vetëm e Hasit, por për gjithë vendin. “Diaspora Hasjane” ka marrë një aksion për pastrimin dhe identitetin e Hasit, për ta ngritur dhe për ta shënuar edhe emrin e Hasit në tabela. Përmes veprave të tilla, kultura, historia dhe identiteti i Hasit do të duket më në fund.”
Ai vlerësoi lart punën e familjes Kurpali dhe në veçanti të inxhinierit Avni Dervishi për realizimin e këtij aktiviteti dhe për “rilindjen e Hasit”, duke theksuar se punë të tilla, pavarësisht se duken të vogla, kanë një simbolikë të jashtëzakonshme për të pasqyruar identitetin e një zone.
Fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet mbajtën edhe Profesor Dr. Nexhat Çoçaj, Profesor Muhamet Bela dhe Mësuesja Shkurte Mula, të cilët vlerësuan maksimalisht organizimin e aktivitetit dhe theksuan rëndësinë e jashtëzakonshme që kulla e Kurpalëve ka në historinë e vendit. Ata i kushtuan vëmendje të veçantë rolit të kullave shqiptare si dëshmi të gjalla të qëndresës dhe atdhedashurisë, duke u shprehur se vepra të tilla duhen ruajtur dhe promovuar për brezat e ardhshëm.

Pas fjalimeve, të pranishmit patën rastin të shijojnë një program artistik nga Ansambli “Pjetër Bogdani” Has, i cili solli valle dhe këngë autentike të zonës. Më pas, u shtrua një drekë tradicionale me të gjitha ushqimet karakteristike të Hasit, duke përfshirë edhe elementë të kulinarisë etno.
Festiviteti vijoi me valle, muzikë dhe argëtim me DJ Selami Kastrati, duke krijuar një atmosferë gëzimi dhe krenarie të përbashkët. Pjesa tjetër e ditës u shoqërua nga vallet dhe këngët tradicionale, duke e mbyllur këtë aktivitet në harmoni të plotë mes historisë dhe festës.
Në mbyllje të aktivitetit, organizatorët falenderuan Diasporën Hasjane për angazhimin dhe promovimin e Hasit përtej kufijve. Theksi u vu në rëndësinë e këtyre aktiviteteve për të ruajtur gjallë kujtesën dhe për të nxitur brezat e rinj për të vijuar rrugën e atdhedashurisë dhe të ruajtjes së identitetit kombëtar.
Ky aktivitet dëshmon se Hasi, përmes kullave të tij dhe njerëzve të tij, mbetet një gur themeli i historisë shqiptare, duke u rilindur vazhdimisht në kujtesën dhe zemrën e kombit.


KULLA E KURPALËVE
Kulla e Kurpalëve është ndërtuar më 1878, në lartësinë e një gryke, që të përcjell për në bjeshkë. Veprimtaria e familjes së Kurpalëve nis me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe vijon me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Kulla, nga viti 1878 deri më 1944, është djegur shtatë herë nga osmanët dhe serbët. E pozicionuar strategjikisht, e ndërtuar me gurë, me mure të trasha blloku dhe me sy frengjijash që mundësonin shprazjen e pushkëve në të gjitha anët e saj, kjo kullë (më 1912) shërbeu si vendkomandë e forcave shqiptare, nga ku u shpartalluan katër batalione osmane në Qafë të Prushit.
Shotë Galica e ka pasur këtë kullë strehë (jatak) të vetën, ashtu si edhe mjaft shtëpi të tjera në Qarr, Golaj e Krume.
Sulejman Vokshi, ideatori i ndërtimit të kullës, ka pasur mbesën të martuar në këtë kullë me Bajram S. Kurpalin.




