Më 8 maj 2026, në ambientet elegante të “Illyrian Grill House” në Londër, u zhvillua një nga ngjarjet më emocionuese dhe më kuptimplota të komunitetit hasjan në Britani – Mbrëmja e Bamirësisë e Diasporës Hasjane, e cila shënoi njëkohësisht një vit nga themelimi i kësaj diasporë aktive dhe të bashkuar.

Hapja zyrtare e mbrëmjes iu besua Kryetarit të “Diasporës Hasjane” Shefqet Krajës, ndërsa fjala e mirëseardhjes u mbajt nga Sokol Cahani, i cili përmes një prezantimi të pasur me përshkrime, foto dhe video, solli në vëmendje momente kyçe të rrugëtimit të Diasporës Hasjane. Prej themelimit të saj, thirrjes për bashkim më 28 shtator, takimeve me IOM-in në Bashkinë e Hasit, e deri te sponsorizimi i klubit “Hasi Pashtriku”, dorëzimi i karrocave për personat me aftësi të kufizuara, çështja territoriale e Hasit, takimet me ambasadorë shqiptarë dhe britanikë, e deri te sponsorizimi i Olimpiadës Sportive të Shkollave të Hasit dhe pjesëmarrja në Samitin e Diasporës Shqiptare – çdo arritje u kujtua me krenari dhe emocion. Ndërsa Mentor Bokçiu falënderoi të gjithë kontribuesit dhe pjesëmarrësit e eventit.

Në fokus të mbrëmjes ishte edhe prezantimi i iniciativave aktuale dhe vizioni për të ardhmen. Alfred Ferizoli dhe Uran Derri folën shkurt por thellë për qëllimet e mbledhjes së fondeve, arritjet e pritshme dhe programet e së ardhmes, duke treguar se Diaspora Hasjane nuk ndalet vetëm te e kaluara, por ndërton me përkushtim të ardhmen.
Segmenti artistik filloi me një fjalim poetik nga Sokol Cahani, i cili preku emocionin dhe misionin e komunitetit, për të vazhduar me performancën muzikore live të këngëtarit Bajram Gigoli, i cili me këngët “Hasjanali”, “Jam Djalë Hasjanali”, “Hasi Jonë” dhe “Vesel Pasha kish pas thanë kush ma qoi Hasin në Kamë”, solli në skenë zërin e pathyeshëm të krenarisë hasjane.
Më pas, Ansambli “Pjetër Bogdani” nën drejtimin artistik të Flutura Alijaj, me këngëtarët Përparim Brati, Avni Metalia, Ramazan Laçi, interpretuesen Ilirjeta Krasniqi dhe valltarët Eligersa Uka, Enkeleda Uka, Besantila Çema e Ejola Sadikaj, ngriti në nivel tjetër emocionin. Programi i tyre u zhvillua sipas kësaj radhe:
- Hapja e programit nisi me grupin e burrave: Kënga për Diasporën – interpretuar nga Përparim Brati, Avni Metalia dhe Ramazan Laçi.
- Përveç këngës së diasporës, kënga e dytë ishte “O Pashtrik krenar qëndron”.
- Më pas, “Sikur sot e maj men mirë” – e kënduar nga Ilirjeta Krasniqi.
- Kërcimi i vajzave (valltarët).
- Kënga e burrave “Qik Hasjane je ma e mira”.
- Kërcim i vajzave.
- Ninulla – interpretuar me shpirt nga Ilirjeta Krasniqi.
Në këtë mënyrë, ata përfshinë edhe këngën për diasporën, “Sikur sot e maj men mirë”, “Qik Hasjane je ma e mira”, “O Pashtrik krenar qëndron” dhe ninullën, duke ngritur emocionin në nivel tjetër.

Një homazh dhe video prezantuese e përgatitur nga Nexhat Çoçaj, Besim Muhadri, Shkurtë Mula dhe Servet Bytyqi solli kujtime të paçmueshme, ndërsa muzika live vazhdoi me Kaltrina Selimin dhe këngët “Mora Kitaren”, “Ky Marak”, “M’Ka Shku mendja”, “Po të pret shqnia sonte” dhe “Me jep një pikë ujë”.


Kulmi i solidaritetit ishte ankandi i bamirësisë i udhëhequr nga Sokol Cahani, ku u prezantuan katër piktura nga Dilen Moka, dy bileta futbolli nga Drilon Gaxha, bluzat e Kombëtares nga Isa Daçi, materiale dhe kujtime të Arsenalit nga Mentor Bokçiu, si dhe fotografi e materiale nga Mustaf Ahmati dhe Shefqet Kraja.
Performanca e Vera Picarit me këngët “Oj Selvie”, “Po të pres moj gocë tek Kalaja”, “Kam dyqnin të Selvia” dhe “Lule të bukura ka Tirana” e çoi mbrëmjen drejt përmbylljes, e cila u shoqërua me falënderime të ngrohta për të gjithë pjesëmarrësit, sponsorët, artistët, organizatorët dhe kontribuesit. Mbyllja e mbrëmjes iu besua Misin Dajçit, duke lënë të gjithë të pranishmit me një mesazh të qartë: Diaspora Hasjane është krenare, e bashkuar dhe e vendosur për të ruajtur traditën, për të festuar arritjet dhe për të ndërtuar të ardhmen e Hasit.
Gjatë gjithë mbrëmjes të ftuarit patën mundësi të shijonin muzikë në sfond ndërsa Shoqata Kulturore Atdhetare Hasi – përfaqësuar nga Nexhat Çoçaj, Besim Muhadri, Shkurtë Mula dhe Servet Bytyqi – organizoi panairin e librave dhe shpjegimin e fotove historike të Hasit.


Disa momente nga mbrëmja!
















