Në një proces gjyqësor të zhvilluar në Brooklyn, New York, avokati shqiptar Ylber Albert Dauti përfaqësoi me sukses një qytetar shqiptaro-amerikan, duke siguruar një dëmshpërblim rekord prej 11.8 milionë dollarësh — një vendim që konsiderohet ndër rastet më të rralla në drejtësinë amerikane dhe që në terminologjinë juridike njihet si “nuclear verdict”.

Ky sukses merr një domethënie edhe më të veçantë për faktin se avokati Dauti është me origjinë nga treva e Hasit, një zonë që ndër vite ka nxjerrë figura të spikatura në fusha të ndryshme, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Përmes profesionalizmit, argumentimit ligjor dhe përballjes me një proces të gjatë gjyqësor, ai arriti të fitojë një çështje me impakt të madh në SHBA, duke ngritur më tej emrin e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare të drejtësisë.
Vendimi i jurisë amerikane vlerësohet si një triumf jo vetëm personal për avokatin hasjan, por edhe si një moment krenarie për komunitetin shqiptar në diasporë.
