Në dëgjimin publik me qytetarët e qarkut Kukës, ish-sekretari i Këshillit të Qarkut Bashkim Ngjeçi kërkon fuqizimin e qeverisjes vendore dhe kundërshton çdo ndryshim të ri territorial
“T’i thuash një qytetari në Has se sot shihet mundësia e rikthimit të një ndarjeje të ndryshme territoriale, kjo është e papranueshme. Do të thotë t’i rikthesh në reminishencë vuajtjet dhe sakrificat që kanë të bëjnë me komunizmin.” Kështu u shpreh Ing. Bashkim Ngjeçi, aktivist i shoqërisë civile, ish-Drejtor i Programit të Zhvillimit të Qarkut Kukës dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Qarkut Kukës, gjatë dëgjimit publik të mbajtur me qytetarët e qarkut Kukës nga Komisioni i Reformës Territoriale.
REFORMA TË DOMOSDOSHME PËR INTEGRIMIN NË BE
Në fillim të fjalës së tij, Ngjeçi theksoi se duke pasur parasysh situatën që po kalon vendi dhe nevojat e dërgimit në Bashkimin Europian, “është shumë e domosdoshme që reformat në shtetin shqiptar, në shtetin tonë, të vazhdojnë në mënyrë ciklike dhe progresive, siç kanë qenë”.
Sipas tij, qytetarët kanë pritshmëri të larta për sukseset e reformave, pasi ato zhvillohen për të përmirësuar standardin e jetesës, shërbimet dhe demokracinë. Megjithatë, ai pranoi se “kjo jo gjithmonë ka ofruar këto objektive dhe këto misione”.
“Ne si aktivistë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të rrethit të Hasit, Kukësit dhe Tropojës mezi i kemi pritur këto dëgjese dhe i mirëpresim. Kjo tregon që në Shqipëri po instalohet më në fund institucioni i procesit të demokratizimit të vendit, në bashkëpunim me shoqërinë civile”, u shpreh ai.
HISTORIA E REFORMAVE: NGA 1992 NË 2015
Duke rikujtuar reformat e ndryshme territoriale, Ngjeçi foli për periudhën pas vitit 1992, kur Shqipëria kaloi nga 26 rrethe në 36 rrethe, gjë që solli “progresim të madh në zhvillimin ekonomik”. Ai veçoi rrethin e Hasit, i cili u rikthye në axhendën administrative pas vitit 1920-1925, duke filluar “një ritëm i jashtëzakonshëm i institucionalizimit”.
“Në Has u kthyen të gjitha institucionet me përjashtim të gjykatës dhe prokurorisë, duke sjellë demokraci lokale dhe zhvillim të madh ekonomik”, kujtoi ai.
Megjithatë, reforma e vitit 2000 e decentralizimit nuk i plotësoi pritshmëritë. “Ne humbëm këshillin e rrethit dhe kryetarin e këshillit të rrethit, e cila uli nivelin e përfaqësimit”, theksoi Ngjeçi, duke shtuar se komunat e Hasit mbajtën peshën e madhe të demokracisë vendore dhe shërbimeve për qytetarët në zonat malore dhe rurale.
Në vitin 2005, si pasojë e reformave zgjedhore, humbën edhe deputetin, çka sipas tij ishte humbje përfaqësimi për Hasin.
REFORMAT E VITIT 2015 DHE PASOJAT
Lidhur me reformën e vitit 2015, Ngjeçi deklaroi se ajo “solli edhe humbje drastike dhe shok social dhe ekonomik në qarkun e Kukësit”. Duke iu referuar edhe zotit Boçi, ai tha se qarku i Kukësit humbi 30 për qind të popullsisë e cila është emigrante.
“Unë nuk ndjehem aspak rehat, por edhe ne, që ky emigracion insistohet nga institucionet të quhet diasporë, e cila nuk rikthehet, por është shpresë e humbur”, u shpreh ai.
Megjithatë, Ngjeçi vuri në dukje se “Diaspora Hasjane” sot po kthehet në promotor zhvillimi dhe faktor iniciues për të zbatuar reformat për t’i konsoliduar”.
KËRKESA PËR FUQIZIMIN E QEVERISJES VENDORE
“Nevojat që ka sot Hasi janë nevoja e fuqizimit të institucionit të qeverisjes vendore”, theksoi ai, duke kundërshtuar çdo ide për ndryshim të ri territorial.
“Ne pavarësisht se jemi nda me Hasin në Kosovë, kishim dëshirë të bashkohemi me hasjen matanë, por nuk na lejon politika”, tha ai me një nuancë ironie, për të vijuar më pas me qëndrimin e tij të prerë kundër rikthimit të një ndarjeje të re territoriale brenda Shqipërisë.
Në përfundim, Ngjeçi theksoi se “bashkia e Hasit është njësi shumë optimale për shkak të homogjenitetit, identitetit gjeografik dhe krahinor”, duke shtuar se ajo “ka nevojë për dy-tre sugjerime të vogla”.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e rajonit në përballimin e konfliktit të Kosovës: “Kukësi, Hasi dhe Tropoja përballuan sfidën e konfliktit të Kosovës, duke pritur me qindra mijëra qytetarë që ishin të abandonuar nga Serbia, duke dhënë një emër dhe imazh të jashtëzakonshëm.”
