Ilir Brasha i është bashkuar së fundmi Diasporës Hasjane në rolin e koordinatorit, duke sjellë me vete përvojën dhe angazhimin e tij në shërbim të komunitetit hasjan.
Duke folur për këtë përgjegjësi të re, Brasha shprehet se e ka pritur ftesën me kënaqësi, vlerësim dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie, pasi e konsideron Diasporën Hasjane një faktor të rëndësishëm për zhvillimin dhe mbështetjen e komunitetit.
Sipas tij, diaspora mbetet një nga shtyllat më të forta të lidhjes së hasjanëve me vendlindjen, jo vetëm në aspektin emocional, por edhe në atë ekonomik dhe shoqëror.
“Diaspora Hasjane është shumë e lidhur me Hasin. Janë bashkëatdhetarët tanë që përmes remitancave dhe angazhimit të tyre mbështesin familjet, të afërmit dhe zhvillimin e komunitetit”, shprehet Brasha.
Ai vlerëson se që prej krijimit të saj, Diaspora Hasjane ka dhënë një kontribut të çmuar në promovimin e emrit të Hasit dhe në mbështetjen e nismave me ndikim në komunitet. Sipas tij, organizata ka luajtur rol të rëndësishëm në ndihmën ndaj familjeve në nevojë, në mbrojtjen e interesave të Hasit, në zhvillimin ekonomik dhe në nismat për ndërgjegjësimin qytetar dhe mbrojtjen e mjedisit.
Brasha thekson se synimi i tij si koordinator do të jetë orientimi i energjive dhe mbështetjes së diasporës drejt projekteve konkrete, të matshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Qasja analitike do të ndihmojë në përzgjedhjen e iniciativave dhe strukturimin e tyre në mënyrë që të jenë sa më efikase dhe të sjellin rezultate të prekshme për komunitetin”, nënvizon ai.
Një tjetër prioritet, sipas Brashës, do të jetë forcimi i bashkëpunimit me institucionet lokale dhe veçanërisht me Bashkinë Has, për të krijuar projekte të përbashkëta që nxisin zhvillimin ekonomik, social dhe identitar të zonës.
Në mesazhin e tij për hasjanët brenda dhe jashtë vendit, ai thekson rëndësinë e bashkimit dhe kontributit të secilit për të ardhmen e krahinës.
“Punët e mira bëhen së bashku dhe kontributi i gjithsecilit është i vlefshëm. Vetëm duke bashkuar forcat mund të punojmë dhe të veprojmë për një Has më të fortë”, shprehet Ilir Brasha.
Bashkimi i tij me Diasporën Hasjane vjen në një moment kur organizata po intensifikon angazhimin në projekte dhe iniciativa që synojnë zhvillimin e qëndrueshëm të Hasit dhe forcimin e lidhjeve mes komunitetit vendas dhe diasporës.
