“Hasi ishte korridori ynë, korridor edhe i furnizimit me armatim, por edhe me luftëtarë, pra luftëtarët e rinj që vinin.”
Kjo deklaratë e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, rikthen në vëmendje një prej dimensioneve të rëndësishme të Hasit gjatë luftës së Kosovës – rolin e tij si një hapësirë lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës, përmes së cilës kalonin njerëz, luftëtarë dhe furnizime për frontet e luftës.
Duke folur për rolin e Hasit, Haradinaj ka theksuar gjithashtu se banorë të Hasit ranë në të gjitha frontet e luftës, duke e lidhur kontributin e kësaj treve jo vetëm me pozicionin e saj gjeografik, por edhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të hasjanëve në luftimet e UÇK-së.
Në të njëjtin kontekst, ai i është referuar edhe ofensivës së Pashtrikut dhe luftimeve përgjatë vijës kufitare, një zhvillim që sipas tij kishte rëndësi të veçantë për ecurinë e luftës.
Rëndësia strategjike e zonës kufitare Shqipëri–Kosovë është dokumentuar edhe në burime të tjera historike. Luftëtarë dhe furnizime kalonin nga Shqipëria drejt Kosovës, ndërsa thyerja e kufirit në Koshare më 9 prill 1999 shënoi hapjen e një fronti të rëndësishëm dhe krijoi mundësi të reja për furnizim dhe mbështetje logjistike për zonat e luftës.
Nga historia te aktualiteti
Deklarata e Haradinajt merr një tjetër dimension pikërisht në ditët e sotme, kur Hasi është rikthyer në qendër të vëmendjes përmes tubimit të zhvilluar në Krumë në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Qindra qytetarë nga Hasi i Shqipërisë dhe Kosovës, Kukësi, Tropoja, veteranë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së u mblodhën në shesh, duke përcjellë mesazhin e solidaritetit me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Në këtë tubim, Hasi nuk u shfaq vetëm si një vend me një histori të lidhur ngushtë me luftën, por edhe si një trevë që vazhdon të reagojë publikisht ndaj zhvillimeve që lidhen me figurat dhe historinë e UÇK-së.
Prania e veteranëve, figurave të luftës dhe qytetarëve nga të dyja anët e kufirit riktheu në vëmendje lidhjen historike mes Hasit të Shqipërisë dhe Hasit të Kosovës.
Edhe Diaspora Hasjane, iu bashkua tubimit në Krumë, duke përcjellë mesazhin e solidaritetit të komunitetit hasjan në diasporë.
Nga korridori i luftës te zëri i sotëm i Hasit – historia, kujtesa dhe solidariteti vazhdojnë të lidhen përtej kufirit.
